Boçi: Ka nisur bashkimi i PD-së. Basha i ftuar nëse bën opozitë dhe jo të jetë patericë e Ramës
Nënkryetari i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Luçiano Boçi u shpreh sot në një konferencë shtypi, se po punohet për një proces bashkimi jo vetëm brenda PD-së, por edhe në pjesën e partive të opozitës.
Sipas tij, aktet e bashkimit janë konkrete dhe do të zbardhen e bëhen të ditura në ditët në vijim.
“Ky bashkim është konkret, fillimisht brenda nesh dhe më pas edhe për të ftuar të gjitha partitë opozitare me të cilët përfaqësuesit e PD-së janë bisedime intensive”, tha ai.
Sipas tij, thirrja për bashkim shkon për të gjithë demokratët edhe për ata deputetë që sot janë pranë Bashës.
“Basha është deputet. Në momentin që do të fillojë të bëjë opozitë, dhe do ta dëshmojë këtë me aksion opozitar, në bashkëpunim me PD, edhe ai gjithmonë është i ftuar. Në momentet që vazhdon të jetë patericë e qeverisë, duke i shërbyer totalisht asaj me qëndrime dhe propozime ligjore, siç është ligji për shpifjen, nuk besoj se ka dëshirë të jetë pjesë e frontit opozitar. Ftesa është e hapur për çdo demokrat dhe deputet që t’i bashkohet PD-së në aksionin opozitar”, tha Boçi
Sipas tij, PD-ja vazhdon punën e saj politike, të shtrirë në të gjitha përmasat që ekziston, organizative, aksionit, komunikimit politik me qytetarët, denoncimet dhe kryetari i PD është në punë të plotë duke dhënë orientime.