Bojkoti i zgjedhjeve në Veri, ministri Sveçla: Lista Serbe e drejtuar nga Beogradi sabotoi procesin demokratik
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas dështimit të iniciativës për shkarkimin e kryetarëve nga katër komunave e veriut të Kosovës.
Sveçla ka thënë se Lista Serbe si në të kaluarën ashtu edhe tani udhëzuar nga Beogradi ka ushtruar forma të ndryshme që serbët të bojkotojnë procesin e sotëm.
Ministri i Brendshëm ka përgëzuar institucionet e sigurisë për përmbylljen e këtij procesi pa incidente.
“Përgëzoj institucionet tona të sigurisë falë përkushtimit të së cilave sot përmbyllëm këtë ditë të zgjedhjeve pa asnjë incident të vetëm në katër komunat veriore. Republika e Kosovës i dha mundësinë qytetarëve të katër komunave veriore që sot të vendosin për kryetarët e katër komunave të tyre.
Në anën tjetër, Lista Serbe si në të kaluarën ashtu edhe tash, përmes formave të ndryshme të udhëzuar nga Beogradi bojkotoi e sabotoi procesin demokratik si mundësi për të çuar komunat në zgjedhje të reja. Ky subjekt i mishëruar me metoda jodemokratike nuk e gjen asesi veten te një proces kaq demokratik.
Komisioni Qendror Zgjedhor në bashkëpunim me institucionet tjera edhe njëherë dëshmoi përkushtim në zbatimin e mandatit të tij dhe respektimin e plotë të të drejtës së qytetarëve për të vendosur për të ardhmen e tyre.
Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë për qytetarët tanë pavarësisht dallimeve, institucionet tona do të jenë në shërbim të të gjithëve dhe për sigurinë e vendit tonë. Kosova është Republikë demokratike, e gjithë qytetarëve pa dallim”, ka shkruar Sveçla.