Bordi Ekzekutiv i Mesdhetareve në Tiranë
Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Mesdhetar për herë të parë një mbledhje të tij të radhës e ka zhvilluar në Tiranë. Dhe në hapjen e këtij takimi i pranishëm ka qenë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili i ka falënderuar anëtarët e bordit, të cilët kanë zgjedhur Tiranën për të zhvilluar takimin e tyre. Mes të tjerash, Rama ka theksuar dhe një herë rëndësinë e të marrurit me sport nga fëmijët si një mundësi për t’i larguar nga kompjuterat e celularët, apo dhe veset e tjera të shoqërisë.
“Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është në një moment të ri zhvillimi dhe në saj të tij po bëhet një punë shumë e mirë duke mbështetur dhe pjesë shumë të rëndësishme në sporte. Së pari për gjeneratat e reja e për më tepër për fëmijët tanë, të cilët marrin pjesë në Lëvizjen Olimpike. Janë më tepër se 10.000 të rinj, të cilët nëpër shkolla janë të organizuar në ekipet e basketbollit dhe të volejbollit, kjo si për vajza, ashtu dhe për djem. E vitin e ardhshëm numri i disiplinave sportive nëpër shkolla do të rritet që të sigurohemi që çdo fëmijë, hap pas hapi, të përfshihet në aktivitetet sportive”, u shpreh kryeministri Rama.
Ndërkohë i pari i qeverisë shqiptare ka falënderuar dhe marrjen e vendimit për Kosovën, që do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.
“Ne jemi të angazhuar të mbështesim Kosovën në angazhimin e saj për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030. Dhe në Lojërat e para që do të angazhojnë Prishtinën e Durrësinb do të jemi të gjithë krenarë. Keni marrë vendime si njerëz të sportit, ndonëse e di që është e vështirë. Por nëse do të ishte një tavolinë politike do të ishte shumë më e vështirë. Gjithsesi faleminderi për angazhimin tuaj”, tha kryeministri Rama.
Në mbyllje një shkëmbim dhuratash, por dhe një përshëndetje nga presidenti i Komitetit Olimpik Mesdhetar, Davide Ticiano, sidomos për projektin e sportit në shkolla në basketboll e volejboll.