Bordi i kullimit ndërhyn në sistemin kullues / Për herë të parë pas 25 vitesh pastrohet kanali kryesor në fshatin Kuç
Për disa vite me radhë kanali kullues në fshatin Kuç në njësinë administrative Gur i Zi qëndroi i papastruar nga mbeturinat e shumta, shishet plastike deri tek bimësitë. E në rastin më të keq ato rrezikonin që të bllokojnë të gjithë sistemin kullues për të cilin ky kanal i shërben fermereve të zonës.
Si pasojë e mungesës së një pastrimi, ishte shndërruar në një kolektor të madh mbetjesh dhe për ta parandaluar ndotjen nuk kishte asnjë masë.
Sot është kjo pamje. Kanali kullues i është nënshtruar rehabilitimit në të gjithë gjatësinë e tij, me mjetet e Bordit të Kullimit në Lezhë, të cilët kanë disa ditë që po punojnë për pastrimin dhe thellimin e tij. Ky është kanali ujëmbledhës ku shkarkohen të gjitha ujërat nga Jubani deri në Kuç e më pas derdhen në lumin Kir. Ndërhyrja rrënjësore te kanalet kulluese e vaditëse si dhe kolektorët kryesorë, ka nisur për herë të parë pas 25 vitesh. Burime pranë Bordit të Kullimit bëjnë më dije se se po punohet për të vënë në funksion të gjithë rrjetin kullues për të përballuar çdo situatë që mund të jetë rrezik për zonën.Procesi për pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse po shkon drejt fundit në zonën e Nënshkodrës. Me këtë ndërhyrje qindra hektarë tokë do të rehabilitohen në zonën e Kuçit, pas përfundimit të pastrimit të kanalit kryesor në këtë zone, i cili nuk pastrohej prej më shumë se dy dekadash.