Borrel: Nëse SHBA beson se ka shumë të vrarë në Gazë, të pakësojë armët drejt Izraelit
“SHBA duhet t’i dorëzojë më pak armë Izraelit nëse beson se shumë njerëz janë vrarë nga pala palestineze”, kështu ëhstë shprehur shefi i politikës së jashtme të BE-së, Xhosep Borrel (Josep Borrell) pas një deklarate të presidentit të SHBA Xho Bajden (Joe Biden) ku thotë se hakmarrja në Rripin e Gazës është e tepruar.
“Nëse dikush beson se kaq shumë njerëz janë vrarë, ndoshta duhet të sigurojë më pak armë për të parandaluar vdekjen e kaq shumë njerëzve. A nuk ka kuptim? Nëse komuniteti ndërkombëtar beson se kjo është një masakër, se shumë njerëz po vriten, ndoshta duhet të mendojmë për sigurimin e armëve “, u shpreh Borrel.
Zyrtari i lartë evropian i referohej një deklarate të bërë të premten e kaluar nga presidenti amerikan Joe Biden , i cili e përshkroi operacionin hakmarrës izraelit kundër Hamasit si “të tepruar”.
“Të gjithë po shkojnë në Tel-Aviv duke lypur, duke thënë ‘ju lutem mos e bëni këtë ‘, mbrojini civilët, mos vrisni kaq shumë njerëz,” theksoi Borrel pas takimit të ministrave të zhvillimit të BE ndërsa shtoi se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu “nuk dëgjon askënd”.
Sot (13 shkurt) një gjykatë apeli në Holandë urdhëroi qeverinë të pezullojë të gjitha eksportet e komponentëve të avionëve luftarakë F-35 në Izrael për shkak të shqetësimeve se ato po përdoren në shkelje të ligjit ndërkombëtar në sulmet e Izraelit në Gazë.
Sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit në Rripin e Gazës me popullsi të dendur kanë lënë 28,340 të vdekur, shumica dërrmuese e tyre civilë, sipas ministrisë së shëndetësisë të Hamasit, e cila ka numëruar 164 vdekje në 24 orët e fundit.CNN.gr