Borrell: Mbështetja e BE-së për Ukrainën nuk varet nga suksesi në fushën e betejës
Kryediplomati i Bashkimit Evropian Josep Borrell ka deklaruar se ndihma ndaj Ukrainës nuk varet nga përparimet në fushën e betejës.
“Mbështetja jonë nuk varet nga përparimet e një dite. Është mbështetje e përhershme, e strukturuar sepse ne po përballemi me një kërcënim ekzistencial për Evropën” tha Josep Borrell gjatë një konference për shtyp pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Kiev, ku u vendos që Ukraina të ndihmohet me një paketë prej 5 milionë eurosh.
Ai theksoi se mbështetja e BE-së për Ukrainën “nuk varet nga mënyra se si do të zhvillohet lufta në ditët apo javët e ardhshme”, duke shtuar se “ushtarët ukrainas po luftojnë me shumë guxim përballë fortifikimeve të mbrojtjes ruse”.
Kryediplomati i BE-së tha gjithashtu se nëse partnerët duan që Ukraina të jetë më e suksesshme, ata duhet t’i sigurojnë asaj “armë më të mira dhe më të shpejta”
Borrell mbërriti në Ukrainë të shtunën dhe që atëherë ai ka vizituar qytetin e Odesa-s, ku ka nderuar ushtarët e rënë në Kiev dhe ka mbajtur takimin e tij të parë personal me ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës, Rustem Umerov.