Bota reagon për vdekjen e presidentit iranian, Ebrahim Raisi

Liderët botërorë kanë reaguar për vdekjen e presidentit iranian Ebrahim Raisi, pas një aksidenti fatal me helikopter të dielën pasdite. Në bordin e helikopterit ishte ministri i Jashtëm, Hosein Amir-Abdollahian, dhe zyrtarë të tjerë iranianë.

Fqinjët iranianë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, shprehën ngushëllimet për vdekjen e Raisit dhe ministrit Amir-Abdollahian. Emiratet Arabe, i cili ka ndrequr raportet me Teheranin pas vitesh përçarjeje, deklaroi se “qëndron në solidaritet me Iranin në këtë kohë të vështirë”, tha presidenti Sheik Mohamed bin Zajed Al Nahjan. Në qershor, Amir-Abdollahian vizitoi Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Kuvajtin dhe Omanin si pjesë e një turneu rajonal që synon konsolidimin e lidhjeve të Teheranit me Gjirin.

Presidenti i Kinës, Shi Xhinping (o. Xi Jinping) tha se “vdekja tragjike” e Raisit në një aksident me helikopter ishte “një humbje e madhe për popullin iranian”, sipas ministrisë së jashtme të Pekinit. “…edhe populli kinez ka humbur një mik të mirë,” tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze në një konferencë për shtyp.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se Raisi ishte një udhëheqës “i shquar”. Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se Raisi dhe ministri i tij i jashtëm ishin “miq të vërtetë” të Moskës. “Në Rusi, presidenti Raisi dhe ministri i jashtëm Amir-Abdollahian, shiheshin si miq të vërtetë dhe të besueshëm të vendit tonë,” tha Lavrov, duke i përshkruar ata si “patriotë… të cilët mbronin me vendosmëri interesat e shtetit të tyre dhe dhanë jetën në shërbim vetëmohues ndaj Atdheut”.

Hamasi lavdëron “mbështetësin”

Grupi Hezbollah i Libanit, i mbështetur nga Teherani, vlerësoi Raisin si një “mbrojtës” të grupeve antiizraelite në rajon pas njoftimit për vdekjen e tij. “Hezbollahu në Liban shpreh ngushëllimet e tij më të thella,” tha grupi në një deklaratë, duke shtuar se ata e njihnin Raisin “nga afër për një kohë të gjatë” dhe se ai ishte “një mbështetës i fortë dhe një mbrojtës i vendosur i kauzave tona”.

Grupi militant Hamas shprehu ngushëllimet e tij për presidentin iranian, duke e quajtur një “mbështetës të nderuar” të grupit militant palestinez të mbështetur nga Teherani. Hamasi tha se vlerëson “mbështetjen e Raisit për rezistencën palestineze dhe përpjekjet e palodhura në solidaritet” me palestinezët që nga fillimi i luftës Izrael–Hamas në Gazë pas sulmit të grupit më 7 tetor. 

BE ngushëllon familjet e viktimave

India, Pakistani, Bashkimi Evropian dhe Rusia gjithashtu shprehën ngushëllimet e tyre për vdekjen e liderit iranian pasi televizioni shtetëror konfirmoi vdekjen e tij. “Ngushëllimet e mia të përzemërta familjes së tij dhe popullit të Iranit,” tha kryeministri indian Narendra Modi, duke shkruar në rrjetin “X” se ai ishte “thellësisht i pikëlluar dhe i tronditur nga vdekja tragjike” e Raisit.

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Sharl Mishel (o. Charles Michel), tha se ngushëllimet e BE-së “shkojnë për familjet” e atyre që ishin në bordin e helikopterit.

Presidenti sirian Bashar al-Asad shprehu solidaritetin me aleatin e tij të ngushtë, i cili e ka mbështetur atë gjatë viteve të luftës. Asadi “pohoi solidaritetin e Sirisë me Republikën Islamike të Iranit dhe me familjet e të ndjerit dhe shokët e tij”, tha presidenca siriane në një deklaratë, duke shtuar: “Ne punuam me presidentin e ndjerë për të siguruar që marrëdhëniet strategjike midis Sirisë dhe Iranit të lulëzojnë gjithmonë”.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, shpalli ditë zie. “Pakistani do të mbajë një ditë zie dhe flamuri do të valëvitet në gjysmështizë si shenjë respekti për Presidentin Raisi dhe shokët e tij dhe në solidaritet me Iranin vëllazëror,” postoi Shehbaz në rrjetin “X”. Udhëheqësi pakistanez priti Raisin në Islamabad për një vizitë triditore në muajin prill në përpjekjen për të përmirësuar lidhjet midis fqinjëve pas grevave vdekjeprurëse në fillim të vitit.

Turqia tha se ishte “thellësisht e pikëlluar” nga vdekja e Raisit. Turqia “ndan dhimbjen e popullit mik dhe vëlla iranian”, tha ministri i Jashtëm Hakan Fidan. /Le Monde

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.