Botërori i atletikës në Skoci, Franko Burraj kualifikohet në gjysëmfinalen e garës 400 metra
Atleti i talentuar shkodran, Franko Burraj, kampion dhe rekordmen i garave të vrapimit të mesëm, 200 dhe 400 metra, i shoqëruar nga trajneri i tij personal, Brunon Rrotani, si dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, është pjesëmarrës në Kampionatin Botëror të Atletikës që po zhvillohet në Skoci. Burraj, është i vetmi nga atletika shqiptare që konkuron në këtë botëror duke pasur objektiva ambicioze në garën e tij të preferuar, atë të vrapimit 400 metra. Me paraqitjen e mirë që bëri pak ditë më parë në Ballkaniadën e Turqisë duke fituar medaljen e bronztë, pritshmëritë e Franko Burrajt, janë të mëdha për të arritur një rezultat pozitiv edhe në Botërorin e Skocisë. Dhe, sinjali i parë pozitiv është dhënë menjëherë , kur Franko Burraj zhvilloi garën e parë në Gllazgow duke bërë një përfaqësim dinjitoz në vrapimin e 400 metrave. Me rezultatin 46 sekonda dhe 86 të qindtat, shkodrani Franko Burraj është kualifikuar për në gjysemfinale të Kampionatit Botëror të Atletikës duke qënë i pari atlet shqiptar mashkull që kualifikohet në një gjysmëfinale botërori. Aktualisht, atleti shkodran Franko Burraj, me këtë rezultat renditet i 12-ti në botë, ndërkohë që do të ketë mundësi që këtë rezultat ta përmirësojë edhe më shumë në garën tjetër gjysëmfinale të këtij botërori për të siguruar kështu kualifikimin për në finale. Për t’u theksuar është se rezultati i arritur në Botërorin e Skocisë nga atleti shkodran, Franko Burraj është vetem 0.3 sekonda larg rekordit kombëtar të garës 400 metra, i cili mbahet po nga ai.
Arritjen e këtij rezultati pozitiv të atletit shkodran, Franko Burraj, e ka përshëndetur edhe kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, përmes një postimi të përcjellë në rrjetin social, FB.
“Franko Burraj, sportisti i Vllaznisë, është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror të atletikës për sallat e mbyllura që po zhvillohet në Glasgoë. Franko bëhet i pari atlet shqiptar mashkull që do të marrë pjesë në një gjysmëfinale botërori. Bravo Franko!”, shkruan kryebashkiaku shkodran, Benet Beci.