Braçe: Pensionet do të indeksohen me 8.6% që nga 1 tetori
Duke nisur nga data 1 tetor i këtij viti, qeveria do të indeksojë pensionet me 8.6%.
Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe duke marrë fjalën në Kuvend tha se, “që nga 1 tetori, e gjithë masa e pensionistëve në Shqipëri do të marrë rritje të pensionit me 8.6 %”.
Ai theksoi se, kjo rritje mbulon plotësisht normën e rritjen së inflacionit dhe se do të sjellë për 3 muajt në vijim 3.2 milionë lekë plus për pensionistët.
“Rritja me 8.6% mbulon plotësisht normën e rritjes së inflacionit për pensionistët. Për pak ditë kjo do të jetë efektive dhe do të sjellë për 3 muajt në vijim në buxhetet e pensionistëve 3.2 milionë lekë plus, ose 32 milionë USD. Kjo rritje për vitin e ardhshëm do të transferojë tek pensionistët 121 milionë USD, duke i shtuar këtu edhe faturën e bonusit të pensionistit, që qeveria ka adresuar për ta, në muajin dhjetor. Kjo është fatura e plotë”, tha Braçe.
Në mbështetje të ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave ka miratuar në korrik koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësuar të 2021 për llogaritjen e pensioneve.
Miratimi i indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2021, me indeksin 8.9% të llogaritur bëhet sipas kritereve të përcaktuara të ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Indeksi i përcaktuar sipas këtij vendimi, aplikohet për rivlerësimin e bazës së vlerësuar të arritur nëpërmjet kontributeve të derdhura dhe rivlerësimeve të tyre, të kryera deri në vitin 2021, dhe zbatohet për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve që do të caktohet me datë fillimi nga data 1 korrik 2023 e në vazhdim.