Braktisja e shkollave/ Serjani: Problematikë, zbatimi i ligjit. Muçaj: Lëvizja e popullsisë, faktor i rëndësishëm
Fenomeni i braktisjes së shkollave ka qenë në fokus të emisionit “Jetë Shqiptare”. Shifrat e publikuara nga INSTAT sipas së cilave 10% e vajzave në Shqipëri refuzojnë të shkojnë në mësim, është parë si fenomen tejet shqetësues nga të ftuarit e emisionit, avokati i komunitetit egjiptian dhe rom Gentjan Serjani, Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare dhe psikologia Arjana Muçaj.
Serjani deklaroi se shifra e vajzave që nuk frekuentojnë arsimin e detyruar, është më e lartë se ajo e paraqitur nga INSTAT. Ndërsa e sheh si një problem gjinor këtë çështje, Serjani u shpreh se një tjetër problem është dhe zbatimi i ligjit.
Serjani shtoi se problematikë është dhe fakti që drejtoritë apo institucionet arsimore 9-vjeçare hezitojnë të deklarojnë numrin e vajzave braktisëse të arsimit të detyruar.
“Është shqetësuese por është problem gjinor. Vajzat sot arsimohen më pak se sa djemtë.
Kemi një problem sa i përket zbatimit të ligjit. Shkolla 9-vjeçare është e detyrueshme dhe sa kohë ka vajza që nuk frekuentojnë shkollën e detyruar, kemi të bëjmë me moszbatim ligji. Nuk kemi një politikë të qartë se ç’duhet bërë me prindërit që për arsye ekonomike, nuk e çojnë vajzën në shkollë, për arsye fanatizmi kulturore, nuk e çojnë vajzën në shkollë. Dhe përsa kohë s’ka analizë të mirëfilltë se si të ndihmojmë këto familje, nuk kemi parashikuar asnjë masë se si këto vajza të rikthehen në shkollë.
Mendoj që shifra është më e lartë se ajo e pasqyruar nga INSTAT. Ka një hezitim nga ana e institucioneve arsimore 9-vjeccare të deklarojnë vajzat braktisëse të arsimit të detyruar.
Për shkak të numri të ulët, mbajnë fiktivisht me emra vajzat që nuk e frekuentojnë shkollën. Braktisje e fshehtë”, tha Serjani.
Nga ana e tij, Qiraxhi u shpreh se problemi qëndron në faktin se marrja si e mirëqenë e arritjeve, ka çuar në emergjencë, pasi sikurse thekson ai do duhet të përshtaten sërish politikat.
“Sigurisht është shumë shqetësuese. Klasa kolektive, me turne, infrastruktura e dobët, disa problematika. Por arsimimi i vajzave ka qenë në nivele të kënaqshme, dhe ajo që më shqetëson është se ato arritje që i kemi të instaluara në shoqëri, si të tilla, dhe pa investuar për t’i mbajtur.
Ne do duhej të kujdeseshim për këtë fenomen. Marrja si e mirëqenë na ka kthyer pas dhe në emergjencë ku do duhet të përshtatim politikat apo të harxhojmë shumë më shumë energji ;lër të rikorrektuar këtë problematikë.
Bëhet fjalë për zhvillimin e qëndrueshëm të një vendi”, tha Qiraxhi.
Për psikologen Muçaj, masat administrative ekzistojnë dhe janë efektive.
Psikologia u shpreh se një arsye përse ndodh fenomeni i braktisjes së vajzave nga arsimi i detyruar lidhet edhe me lëvizjen e popullsisë.
“Kemi masa administrative që i detyrojnë kujdestarët e fëmijëve me një gjobë patjetër duhet paguar, nëse ai nuk e çon fëmijën në shkollë.
Këto masa administrative ekzistojnë, por sa vihen në praktikë është tjetër çështje. Janë efektive. Duke hequr ato që ne i themi etni me përkatësi rome egjiptiane, kjo i bën që këto familje t’i heqin fëmijët, për t’i shkëputur nga arsimi, vjen nga faktorë të tjerë.
Por për të qëndruar te faktorët e ditëve të sotme, do thosha që këto shifra nga UNICEF janë 2 herë më të larta se sa i ka paraqitur INSTAT. Lëvizja e popullsisë ka sjellë shpopullim, faktor i rëndësishëm”, tha Muçaj.