Brazil- Elon Musk do të hetohet për lajme të rreme dhe pengim të zbatimit të një urdhri të Gjykatës së Lartë
Një gjykatës i Gjykatës së Lartë braziliane përfshiu Elon Musk si një objektiv lidhur me një hetim në vazhdim mbi shpërndarjen e lajmeve të rreme. Ai hapi një hetim të veçantë të dielën vonë edhe ndaj ekzekutivit të X për pengim të dyshuar të drejtësisë.
Në vendimin e tij, gjyqtari Alexandre de Moraes vuri në dukje se Musk të shtunën filloi të zhvillonte një “fushatë dezinformimi” public, në lidhje me veprimet e gjykatës më të lartë në Brazil dhe se Musk vazhdoi edhe të nesërmen – veçanërisht me komentet se kompania e tij e mediave sociale X, nuk do të zbatonte urdhrat e gjykatës për bllokimin e llogarive të caktuara.
“Sjellja flagrante e pengimit të drejtësisë braziliane, nxitja e krimit, kërcënimi publik për mosbindje ndaj urdhrave të gjykatës dhe mungesa e bashkëpunimit në të ardhmen nga platforma, janë fakte që nuk respektojnë sovranitetin e Brazilit,” shkroi de Moraes.
(Gjyqtari Alexandre de Moraes)
Musk do të hetohet për instrumentalizimin e dyshuar e të qëllimshëm kriminal të X, si pjesë e një hetimi ndaj një rrjeti njerëzish të njohur si milici digjitale që dyshohet se kanë përhapur lajme të rreme shpifëse dhe kërcënime kundër gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, sipas tekstit të vendimit.
Hetimi i ri do të shqyrtojë nëse Musk është përfshirë në pengim, organizim kriminal dhe nxitje. Musk nuk ka komentuar në X, në lidhje me zhvillimin më të fundit.
E djathta politike e Brazilit e ka karakterizuar prej kohësh de Moraesin si në tejkalim të kufijve të tij për të shtypur lirinë e fjalës dhe për t’u përfshirë në persekutim politik.
Në hetimin e milicive digjitale, ligjvënësit nga rrethi i ish-presidentit Jair Bolsonaro janë burgosur dhe shtëpitë e mbështetësve të tij janë bastisur. Vetë Bolsonaro u bë objekt hetimi në vitin 2021.
Mbrojtësit e De Moraes kanë thënë se vendimet e tij, megjithëse të jashtëzakonshme, janë ligjërisht të shëndosha dhe të nevojshme për të pastruar mediat sociale nga lajmet e rreme, si dhe për të shuar kërcënimet ndaj demokracisë braziliane – e theksuar në mënyrë famëkeqe nga kryengritja e 8 janarit 2023 në kryeqytetin e Brazilit që i ngjante Kryengritje e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA.
Të shtunën, Musk – një absolutist i vetëshpallur i fjalës së lirë – shkroi në X se platforma do të hiqte të gjitha kufizimet në llogaritë e bllokuara dhe parashikoi se masa ka të ngjarë të thajë të ardhurat në Brazil dhe ta detyrojë kompaninë të mbyllë zyrën e saj lokale.
“Por parimet kanë më shumë rëndësi se fitimi,” shkroi ai.
Ai më vonë udhëzoi përdoruesit në Brazil që të shkarkonin një VPN për të ruajtur aksesin nëse X mbyllej dhe shkroi se X do të publikonte të gjitha kërkesat e de Moraes, duke pretenduar se ato shkelin ligjin brazilian.
“Këto janë kërkesat më dragoniane të një vendi në Tokë!” shkroi Musk.
Musk nuk i kishte publikuar kërkesat e de Moraes deri të dielën vonë dhe llogaritë e njohura të bllokuara mbetën të tilla, duke treguar që X nuk kishte vepruar ende bazuar në premtimet e mëparshme të Musk.
Vendimi i Moraes paralajmëroi kundër një gjëje të tillë, duke thënë se çdo llogari e bllokuar që X përfundimisht riaktivizon do të sjellë një gjobë prej 100,000 reale (20,000 dollarë) në ditë dhe se përgjegjësit do të mbahen ligjërisht për të dhënë llogari për mosbindje ndaj një urdhri gjykate.
Prokurori i Përgjithshëm i Brazilit shkroi të shtunën mbrëma se ishte urgjente që Brazili të rregullonte platformat e mediave sociale.
“Ne nuk mund të jetojmë në një shoqëri në të cilën miliarderët me vendbanim jashtë kanë kontrollin e rrjeteve sociale dhe e vënë veten në një pozicion për të shkelur sundimin e ligjit, duke mos zbatuar urdhrat e gjykatës dhe duke kërcënuar autoritetet tona. Paqja sociale është e panegociueshme,” shkroi Jorge Messias në X.
Kushtetuta e Brazilit u hartua pas diktaturës ushtarake të viteve 1964-1985 dhe përmban një listë të gjatë qëllimesh dhe ndalimesh aspirative kundër krimeve specifike si racizmi dhe, së fundmi, homofobia. Por liria e fjalës nuk është absolute. AP