Brdariç nis punën me Vllazninë, tekniku gjerman shprehet optimist për fitimin e titullit kampion
Ashtu siç u bë e ditur më herët, trajneri i ri i Vllaznisë, Thomas Brdariç, ka nisur punën me skuadrën kuqeblu duke zëvendësuar kështu në pankinë paraardhësin Qatip Osmani. Në prononcimin e dhënë për mediat, pak çaste përpara fillimit të seancës stërvitore të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, kroato-gjermani i pankinës kuqeblu dha një prononcim për mediat e pranishme.
“Jam i kënaqur që jam këtu, që punoj përsëri për këtë klub. Në këtë situatë dua të falënderoj Qatip Osmanin, ai ka bërë një punë shumë të mirë këtu dhe kam vlerësuar që ka çuar Vllazninë në këto pozita. Kështu është jeta. Ajo që ndodh tani, ndodh shumë shpejt. Ky ishte vendim zemre, që të vija këtu , sepse kemi prodhuar momente të bukura në të kaluarën. Në javët e ardhshme është e rëndësishme që të prodhojmë jo vetëm momente të bukura e rezultate, por edhe të shkojmë në “Final Four” për titullin. Për mua, skuadra ka cilësi. Në fund të ditës të duhet edhe fat për të fituar ndeshjet, por është shumë e thjeshtë të thuash që skuadra do besim. Duhet të jemi të mirë fizikisht dhe kjo është ku do punojmë në javët e ardhshme. Në një anë jam këtu që t’i jap skuadrës identitet, për këtë nuk ka kohë. Duhet të punojmë shumë dhe fitojmë ndeshjen e ardhshme e sigurojmë pozicionin në “Final Four”. E kam parë ndeshjen e fundit me Egnatian, ishte e afërt, çdo gjë. Duam të marrim revansh”, tha ndër të tjera tekniku Brdariç.
Ndeshja e ardhshme e Vllaznisë është pasditen e së dieles në transfertë me Egnatian, për llogari të javës së 33-të të Superiores.