Brdaric: Rikthehemi tek fitorja! – Trajneri i Vllaznisë, pas 2 humbjeve, pret reagimin e skuadrës me Elbasanin
Vllaznia do të tentojë rikthimin tek fitorja pas dy humbjeve të fundit, të cilat kanë krijuar një atmosferë aspak të mirë në klubin kuqeblu, por edhe tek tifozët shkodranë.
Në daljen e zakonshme për mediat në prag të sfidës me Elbasanin të dielën në “Loro Boriçi”, trajneri Thomas Brdaric i ka idetë e qarta.
“E dimë situatën tonë. Objektivi është të rikthehemi tek fitorja. Nuk duhet të flasim shumë, por duhet të kemi përformancë të mirë në fushë. Pavarësisht dy humbjeve, jo çdo gjë ishte e keqe.
Duhet më shumë agresivitet dhe më shumë energji, sidomos në fazën sulmuese. Duhet të luftojmë taktikisht.
Elbasani ka disa lojtarë që mungojnë, siç edhe ne. Duhet të punojmë që momenti të jetë në krahun tonë. Do të tregojmë fytyrën tonë më të mirë nesër”, – u shpreh Brdaric .
Brdaric nuk ka dashur të komentojë mungesat e mundshme apo dëmtimet, teksa nuk ka përjashtuar mundësinë e aktivizimit të lojtarëve të stolit që u aktivizuar me Dinamon dhe shënuan, siç ishte Spahija.
“Jam i sigurtë se nesër do japim një reagim, do të tregojmë forcën tonë më të mirë nesër”, theksoi Brdaric.