Brehme përjetësohet, futbolli gjerman humb heroin e yllit të tretë
Andreas Brehme ka ndërruar jetë mbrëmjen e së hënës si pasojë e një arresti kardiak. Heroi i Gjermanisë në Botërorin “Itali 1990” ndërroi jetë në një klinikë pranë banesës së tij në Mynih në Ziemssenstrasse.
Sipas medieve gjermane mjekët kanë bërë ç’mos për ta rianimuar, por zemra e kampionit të botës kishte pushuar përgjithmonë.
63-vjeçari ishte njëri prej lojtarëve më kryesorë në Gjermani në vitet ’80-’90. Ai kishte lindur në Hamburg ndërsa karrierën si futbollist e nisi me Sarbryken dhe më pas e vazhdoi me Kaizerslautern (ku edhe shërbeu si trajner), Bajernin e Mynihut, Interin dhe Real Zaragozën.
Me Gjermaninë ai luajti 86 ndeshje ndërkombëtare ku shënoi plot 8 gola. Njëri prej tyre ishte më i rëndësishmi pasi ishte goli që i dha Gjermanisë titullin e tretë kampion bote në Botërorin e mbajtur në Itali.