Briken Calja, i pesti në Evropianin e Sofjes
Nuk ka arritur dot deri në podium, edhe pse e ka humbur për vetëm një kg dhe Briken Calja e ka mbyllur konkurrimin e tij në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur me një vend të 5-të në dygarësh, duke mbajtur kështu gjallë shpresat për kualifikimin për në Olimpiadën e Parisit. Calja ka ngritur vetëm një provë në stilin e shkëputjes, atë të dytën me 148 kg, duke mos arritur të ngrejë të 3-tën me 153 dhe duke mbetur në vendin e 7-të.
Mjaft më premtues ka qenë stili i shtytjes për sportistin kuqezi,që ka ngritur 180 kg në provën e parë, por ka dështuar në dy të tjerat, me 185 dhe 186 kg, duke mbetur në vendin e 5-të, ashtu sikundër do të renditet i 5-ti edhe në dygarësh, me 328 kg. Me pak fjalë, vetëm dy prova të vlefshme për peshëngritësin kuqezi ndërsa të premten në mbrëmje ngjitet në pedanë peshëngritësi tjetër kuqezi, Erkand Qerimaj, në kategorinë e peshës trupore deri në 81 kg.