Britania voton pr.ligjin që ndalon cigaren për të lindurit nga viti 2009
Deputetët britanikë kanë votuar pro pr.ligjit të propozuar nga qeveria e Rishi Sunak për të ndaluar çdo person të lindur nga viti 2009 e lartë për të blerë cigare.
Plani i kryeministrit britanik për të ndaluar blerjen e cigareve nga çdo person i lindur në vitin 2009 kaloi votën e parë parlamentare ndonëse dhjetëra ligjvënës të tij votuan kundër.
Plani i Sunak për të imponuar disa nga rregullat më të rrepta në botë kundër duhanit ka zemëruar disa anëtarë të Partisë së tij qeverisëse Konservatore, duke përfshirë ish-kryeministrat Liz Tras (Truss) dhe Boris Xhonson (Johnson), të cilët thonë se shteti nuk duhet të ndërhyjë në mënyrën se si njerëzit jetojnë jetën e tyre.
Projektligji mori 383 pro dhe 67 kundër, që do të thotë se do të kalojë në fazën tjetër në parlament, ku mund të jetë objekt ndryshimi.
Ligjvënësve iu dha votim i lirë mbi projektligjin, që do të thotë se ata nuk duhej të votonin sipas linjave partiake. Një ligj i ngjashëm në Zelandën e Re u anulua këtë vit nga qeveria e re e koalicionit përpara se legjislacioni të hynte në fuqi
Por 57 konservatorë, përfshirë Sekretarin e Biznesit dhe Tregtisë Kemi Badenok (Badenoch), votuan kundër planit dhe shkalla e rebelimit ishte një tjetër goditje për Sunak, i cili tashmë është përballur me kritika në partinë e tij për çështje që variojnë nga ndryshimi i klimës deri te politika e mbrojtjes.
Legjislacioni është një nga politikat kryesore të Sunak përpara zgjedhjeve, për të cilat sondazhet sugjerojnë se Partia Laburiste e opozitës do të fitojë.