Broja dhe Silvinjo luajnë “kukafshehti” në Londër
Gjithmonë e më shumë mjegull në çështjen Broja. Problematikat, stoli, raportimet për viroza dhe deri tek mostakimi me trajnerin e kombëtares. Silvinjo dhe Zabaleta kanë qenë të pranishëm në sfidën e kampionatit anglez Fulham-Aston Vila për të ndjekur Armando Brojën, por sulmuesi kuqezi nuk zbriti në fushë, madje nuk ishte as në stol, për shkak të një viroze.
Trajneri nuk pati mundësinë që ta shihte sulmuesin në fushën e lojës, por RTSH Sport mëson se palët nuk kanë pasur as edhe një takim privat, gjatë kohës që dy trajnerët qëndruan në Londër. Silvinjo nuk e ka kontaktuar sulmuesin kuqezi dhe ndoshta marrëdhënia mes palëve është ftohur, madje Broja mund të rrezikojë edhe grumbullimin për në fazën finale të Euro 2024, nëse situata nuk ndryshon.
Redaksia e Rtsh Sport ka tentuar disa herë që të kontaktojë babain e Brojës, i cili njëkohësisht është edhe menaxheri i sulmuesit, por deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje apo prononcim në lidhje më këtë temë.