Brojës i shtohet edhe një tjetër “rival”, Çelsi futet në merkato për sulmues
Armando Brojës do t’i duhet më shumë punë nëse kërkon një vend titullari në “Stamford Bridge”. Nga raportimet e fundit të medieve ishullore kuptohet qartë tendenca e klubit në fjalë. Poçetino i ka kërkuar presidentit Boehly që të futet përsëri në merkato për të zgjidhur problemin e sulmit.
Gjatë verës janë diskutuar emrat e Tënejt dhe Osimhen ndërsa tani listës së kandidatëve i është shtuar edhe Evan Ferguson. Sipas “The Evening Standard”, Çelsi po ndjek prej kohësh sulmuesin e Brajtonit.
Nëse blutë e Londrës do të finalizonin marrëveshjen me njërin prej tre sulmuesve në muajin janar atëherë Broja do të zbriste edhe më shumë shkallët në hierarkinë e klubit. Sipas “Football London”, shqiptari do të nxirrej në merkato pasi kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë.
Për Çelsin shitja e Brojës do të ishte “jetike” pasi me shifrën e arkëtuar do të vepronte më lehtë në merkato duke shmangur sanksionet, të cilat janë të paevitueshme për shkak të shkeljes së Financial Fair Play.
Opsioni i largimit nga “Stamford Bridge” është pozitiv edhe për vetë lojtarin. Për Brojën skuadra e Uest Hemit ka bërë gati rreth 30 milionë paund. Ajo që ka më shumë rëndësi për lojtarin është fakti se ka pëlqimin e David Mojesit. Trajneri skocez ka bërë gati një vend titullari fiks për Brojën në “London Stadium”. “Privilegj” ky, të cilin nuk e ka me Poçetinon.