BSH: Hyrja në Tregun Unik të Pagesave (SEPA) lehtëson turizmin dhe eksportet, formalizon remitancat
Banka e Shqipërisë ka nisur punën për anëtarësimin e Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave, ose njohur ndryshe SEPA, që prej vitit 2021, kur SHqipëria u bë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.
“Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA jo vetëm që do të shënojë një hap tejet të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda tregut evropian. Gjithashtu ky projekt vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në disa sektorë strategjikë siç është turizmi dhe eksportet me BE, ndërkohë që pritet të ndikojë dhe formalizimin e flukseve të remitancave,” tha Luljeta Minxhozi, zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e vjetore të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave.
Ajo u ndal në punën e Bankës së Shqipërisë për implementimin e një zgjidhjeje për pagesat e shpejta (instant payment) të cilat janë një mundësi alternative për pagesat elektronike. Ato sigurojnë pagesa përgjatë 24 orëve në çdo ditë të javës me kosto më të ulëta se instrumenti alternativ, kartat.
Për këtë qëllim, po bashkëpunohet edhe me Bankat Qendrore të Sistemit Evropian, si ajo e Italisë, por dhe Bankën Qendrore Evropiane.
Implementimi me sukses i këtij sistemi, eventualisht do të krijojë kushtet për integrimin e Shqipërisë në sistemin evropian TIPS, por mund të shërbejë potencialisht si një zgjidhje dhe për vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.