BSH : Mbi 63 mijë karta bankare të reja të emetuara në 2023
Banka e Shqipërisë ka publikuar treguesit zyrtarë të kartave të emetuara nga bankat e nivelit të dytë që janë aktualisht në qarkullim në vend.
Sipas saj në harkun kohor të një viti, në Shqipëri janë hedhur në përdorim mbi 63 mijë karta të reja bankare, duke e çuar numrin total të tyre në 1.433.151. Kjo është një rritje prej 4.6% krahasuar me një vit më parë.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se një numër i tillë kartash mbulon me shërbime financiare mbi 70% të popullsie, në një kohë që numri i tyre parashikohet të rritet edhe më tej për vitin 2024.
Sias të dhënave teknike, të gjitha kartat që qarkullojnë në vend kryejnë më shumë se një funksion, megjithëse ato dominohen tërësisht nga kartat e debitit, funksioni kryesor i të cilave janë veprimat me pagat të klientëve të bankave, siç janë derdhja dhe tërheqja.
Në dhjetor të vitit që sapo lamë pas, numërohen 1,240,966 karta debiti, dhe vetëm 119,649 krediti.
Edhe pse kanë shënuar një rritje të lehtë tremujorin e fundit numri i tyre mbetet ende në nivele minimale.
Kartat e kreditit, në ndryshim nga ato të debitit, na mundësojnë të bëjmë blerje nga POS dhe interneti apo të tërheqim cash nga ATM/POS, brenda një kufiri të paracaktuar, pa pasur fonde në llogarinë tonë, por duke përdorur fondet që banka na ka vënë në dispozicion.
Në raport me kartat e debitit, kartat e kreditit janë shumë më fleksibël si sa i përket numrit të funksioneve edhe mundësive të përdorimit të tyre.
Rritje të lehtë ka shënuar këtë tremujor edhe numri i Kartave me funksion paraje elektronike, të cilat përdoren kryesisht për shlyerjen e faturave apo gjobave të ndryshme.
Në fund të vitit të shkuar ka hyrë në fuqi ligji për paisjen e qytetarëve me karta bazike. Ai pritet të rrisë më tej numrin e kartave në qarkullim. Ligji detyron bankat të paisin me karta ato kategori konsumatorësh të cilët e kanë të vështirë apo të pamundur hapjen dhe mbajtjen e një llogarie pagesash (rrjedhëse) në banka, për shkak të kostove që ajo mbart.