Bujar Osmani, ministri i parë i Jashtëm shqiptar në Maqedoninë e Veriut që drejtoi Samitin e OSBE
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani ka kryesuar ditën e sotme samitin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me pjesëmarrjen e 57 vendeve anëtare të organizatës. Në mbledhjen e sotme u diskutuan mbi të ardhmen e organizatës si dhe për zgjidhjet që do të ofrojnë përballë problematikave të caktuara.
Por kush është Bujar Osmani?
Bujar Osmani ka lindur më 11 shtator 1979 dhe ka të kryer Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Osmani ka titullin specialist-kirurg të cilin e ka marrë në Klinikën për Kirurgji digestive. Specializimin ai e ka përfunduar në Shkup dhe në Londër në qendrën për transplantimin e mëlçisë dhe kirurgjisë abdominale.
Në politikë Osmani ka mbajtur disa role kyçe, siç ka qenë Ministër i Shëndetësisë për një mandat. Po ashtu ai është edhe zëdhënësi i Partisë BDI, e cila kryesohet nga Ali Ahmeti. Aktualisht Osmani është Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë me këtë post.
Bujar Osmani, kryesuesi OSBE në fjalën e tij është shprehur se është përgjegjësi dhe detyrim i tyre që ta zbatojnë aktin përfundimtar të Helsinkit.
“Ne kemi arritur që të krijojmë shtet multietnik, përkundër të gjitha pengesave, në një dekadë dhe rajon të karakterizuar me luftë dhe armiqësi. Por, me përkushtimin tonë dhe mbështetjes së parezervë të OSBE-së, në fushat më të ndjeshme të sigurisë njerëzore dhe dialogut ndëretnik dhe sundimin e së drejtës, të drejtat e njeriut, mund të themi me shumë krenari se OSBE vërtetë ka punuar për njerëzit e Maqedonisë së Veriut. Është përgjegjësi dhe detyrim i joni që ta zbatojmë aktin përfundimtar të Helsinkit, sepse këtë i’ a kemi borxh njerëzve tanë, që të jenë të sigurt se të drejtat dhe siguria e tyre, janë të mbrojtura dhe të garantuara. E kemi parë efektin shkatërrues të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe kemi parë masakrën e pa pranueshme të një pushteti qe ka hequr dorë nga vlerat e OSBE-së dhe ka arritur qëllimet e saj politike me përdorimin e forcës”- u shpreh Bujar Osmani, kryesuesi OSBE.
Në samitin e OSBE-së po marrin pjesë diplomatë të 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.