Bujqësia financohet dhe pa IPARD, zëvendës ministri për RTSH: Në 2023 u shpërndanë 5.3 miliardë lekë
Kur në korrikun e kaluar, Komisioni Europian lajmëroi ndërprerjen e përkohshme të rimbursimeve për financimet e projekteve në bujqësi si pjesë e Programit IPARD II, Ministria e Bujqësisë nisi të shohë rrugë të tjera plotësuese në ndihmë të fermerëve.
Në një intervistë për RTSH-në, zv.ministri i Bujqësisë, Arian Jaupllari tha se e para është Skema Kombëtare.
“I referohemi një herë Skemës Kombëtare 2023. Realizuam një skemë për 2023, me 5.3 miliardë lekë. Ka qenë skema më e madhe ndër vite e përfitimit të fermerëve dhe është rritur numri i fermerëve dhe blegtorëve përfitues. Parashikohet që numri i përfituesve për 2024-ën të rritet që mund të shkojë deri në 70 mijë përfitues. Në parashikimet tona kemi parashikuar një buxhet prej 6 miliardë lekë”, tha Jaupllari.
Vec Skemës Kombëtare, Ministria e Bujqësisë po negocion dhe për mekanizma të tjera mbështetjeje për fermerët.
“Por ndërkohë po negociohet me ministrinë e Financave që të kemi edhe një skemë tjetër mbështetje për investimet në bujqësi që pritet të finalizohet nga qershori që mund të kompensojë disi edhe mungesën e fondeve IPARD. Kemi edhe donatorët duke i mbështetur fermerët me projekte pilotë konkrete sidomos me vajin e ullirit, agroturizmin, produktet tradicionale, me investime në blektori dhe aquaculture”, deklaroi Jaupllari.
Skema Kombëtare e Bujqësisë dhe Blegtorisë 2024 pritet të miratohet nga qeveria brenda këtij muaji, ndërsa procesi i aplikimit të fermerëve parashikohet të kryhet në periudhën mars-prill.