Bujqësia, mes rritjes dhe sfidave/ Flet për RTSH Enio Civici: Ja rezultatet tona për vitin 2023
Bujqësia shqiptare vazhdon të tregojë shifra pozitive, pavarësisht sfidave të përvitshme që shkaktohen nga ndryshimet klimatike. Zëvendësministri i Bujqësisë Ennio Civici tregon, për RTSH, përpjekjet për përballimin e këtyre sfidave.
Politikat e reja dhe rritja e buxheteve në nivele historike për bujqësinë shqiptare ishin zgjidhja e vetme për Shqipërinë, për të përballuar presionin e jashtëzakonshëm si pasojë e prishjes së zinxhirit të tregjeve
“U detyruam vitin e kaluar të ndërtonim politika dhe të rrisnim buxhete në nivele historikë për të përballuar këtë presion në mënyrë që të mbanin nivelet e prodhimit në kushte të pranueshme normale”, u shpreh ai.
Në kushtet kur Shqipëria mbetet vendi më bujqësor në Europë, duke kontribuar në rreth 20% të prodhimit të brendshëm bruto, ministria gjeti një zgjidhje tjetër:
“Fuqizuam për të disatën herë eksportet bujqësore shqiptare, por edhe me produktet e reja të cila më parë nuk eksportoheshin. Shifrat e 9-mujorit vazhdojnë mbi 14 përqind rritje të eksportit dhe ndërkohë prodhimi ka një ngadalësim të lehtë” deklaroi Civici.
Numri dy i ministrisë së Bujqësisë tregon edhe synimet e dikasterit deri në fund të këtij viti.
“Po punojmë për cilësinë, për të arritur atë më të lartën dhe jo vetëm në termat të çmimit më të lartë por edhe në atë të sigurisë ushqimore dhe të kushteve me të cilat prodhohen. Po punojmë për të aplikuar më shumë teknologjinë, edhe panairi i quajtur Agrotek, pra e kishte fokusin tek teknologjia. Po punojmë të forcojmë lidhjet me partnerët tanë ndërkombëtar” tha Zëvendësministri i Bujqësisë Ennio Civici.
Ndonëse çmimet e prodhimeve bujqësore janë rritur dhe kërkesa nga jashtë për prodhime shqiptare është e lartë, prodhimi nuk i është përgjigjur zhvillimeve të kohës.