Bullgarët të kënaqur, zv.presidentja fton pakicën të deklarohet në Cens 2023
Pakicat Kombëtare Bullgare janë njohur me ligj në 2017 nga parlamenti shqiptar e për zv.presidenten bullgare, Iliana Utova (Yotova) që prej atij vendimi, premtimet e dhëna për bullgarët që jetojnë në Shqipëri janë mbajtur nga qeveria.
Censi i cili fillon me 18 shtator për zv.presidenten bullgare është një sfidë e parë pas njohjes së pakicës kombëtare bullgare.
“Censi është një sfidë, kjo pasi një komb është i pasur kur njeh e respekton pakicat kombëtare, ata janë ura bashkëpunimi mes vendeve. Ne do të ndjekim këtë proces edhe përmes raporteve dhe shpresojmë që gjithçka të jetë në rregull. Gjithsesi do të doja që ky proces të shoqërohej edhe me më shumë fushata informuese pasi edhe ne në Bullgari kishim këtë problem kur zhvilluam censin dhe janë mediat ata që duhet të japin kontributin e tyre”, tha ajo.
Ndërsa lidhur me kërkesat e shtuara për paisjen me pasaporta bullgare të anëtarëve të Pakicës Kombëtare për t’i përdorur më pas për emigrim në vende të BE, për zv.Presidenten është sfida e madhe e të dy popujve.
“Në legjislacion bullgar lejohet që çdo person që vërteton me dokumenta që është me prejardhje bullgare mund të pajiset me pasaportë por për popujt tanë është sfidë pasi ata kërkojnë të emigrojnë në vende perendimore. Në këtë kendvështrim është domosdoshmëri bashkëpunimi jonë pasi është detyra jonë që të krijojnë kushtet e favorshme që ata të kthehen e të kontribojnë për vendin e tyre”, shprehet ajo.
Pakicat Kombëtare Bullgare jetojnë më së shumti në zonat Gollobordë, Gorë dhe Prespë të Shqipërisë.