Bundesliga, betejat e kreut
Katër nga pesë skuadrat e kreut të Bundesligës do të ndeshen midis tyre këtë fundjavë, me rezultatet që mund të ndikojnë ndjeshëm në luftën për titull dhe për zonën Champions. Kryesusi Bajer Leverkusen do të ketë një ndeshje të vështirë të dielën pasdite në Shtutgart, me skuadrën që mban vendin e tretë.
Leverkusen kryeson me tri pikë më tepër se Bajern i Mynihut, por bavarezët kanë një ndeshje me pak, atë me Union Berlin, që do të luhet më 24 janar. Bayern mund të ngjitet të paktën përkohësisht në krye nëse fiton të shtunën në Frankfurt. Eintracht është në një minikrizë me dy humbje radhazi, por kundër Bajernit jep gjithmonë maksimumin. Ndërkohë ndeshja më e rëndësishme e së shtunës do të jetë në 18.30, kur Borussia Dortmund pret Leipzig.
Dy skuadrat duket se nuk kanë më shpresa për titullin për sa kohë që Leverkusen e Bajern ecin pa u ndalur, por luftojnë për zonën Champions. Vendi i katërt mbahet nga Leipzig, Dortmund e ndjek me vetëm një pikë më pak.