“Buqetë” këngësh për pranverën, koncerti “Pranverë me Kangë” është regjistruar i plotë për shikuesit e RTSH Shkodra
Këngët më të bukura nga muzika e lehtë shqiptare dhe ajo botërore dedikuar nënës, dashurisë, luleve dhe pranverës erdhën përmes zërit të ëmbël të 23 artistëve shkodranë në koncertin “Pranverë me Kangë” zhvilluar në teatrin “Migjeni”.
Kësaj mbrëmje muzikore nuk i mungoi as humori dhe interpretimet poetike të disa prej aktorëve të teatrit “Migjeni”. Për udhëheqësin artistik Ilir Zoga, ky spektakël është vazhdim i një tradite të bukur për Shkodrën dhe muzikën e saj.
Përgjegjësi dhe emocion e konsideruan disa nga artistët prezantimin para publikut.
Koncerti “Pranverë me Kangë” ka një traditë 20-vjeçare. Pjesë e tij janë artistët më të spikatur të qytetit por në këtë edicion të fundit nuk munguan as ata që u ngjitën për herë të parë në skenën e teatrit “Migjeni”. Koncerti do të vijë i plotë për të gjithë shikuesit e rrjetit të RTSH në ditët në vijim.