Butrinti, Zhupa: Nëse Gjykata Kushtetuese nuk i jep zgjidhje, do e çojmë në SPAK
Deputetja demokrate Ina Zhupa ka bërë me dije disa prej fakteve dhe provave të paraqitura nga demokratët në Gjykatën Kushtetuese për atë që e konsiderojnë si koncesionin e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Zhupa u shpreh se një prej shkeljeve është mospasja e rolit parësor të shtetit shqiptar në këtë koncesion.
“U bë një vit e gjysmë që ndodhemi në Gjykatën Kushtetuese për koncesionin e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Koncesioni i Butrintit sot është në Gjykatën Kushtetuese me një seancë të riçelur. Pasi u mbyll hetimi gjyqësor dhe u thanë konkluzionet finale më 30 nëntor, Kushtetuesja vendosi të riçelë seancën plenare pas fakteve dhe provave të reja që ne u vumë në dispozicion për raportin e UNESCO-s të fshehur nga pala shqiptare.
Një prej shkeljeve është mospasja e rolit parësor të shtetit shqiptar në koncesionin e Butrintit”, tha Zhupa.
Kjo e fundit, u shpreh se PD-ja i ka bërë të qarta pozicionet e saj se përse Gjykata Kushtetues eka shkelur Kushtetutën.
Ajo theksoi se beson te institucioni i Kushtetueses dhe SPAK, por jo te individët. Demokratja paralajmëroi se nëse çështja nuk merr zgjidhje, do shkojë në SPAK.
“Partia Demokratike i ka bërë të qarta pozicionet e saj se pse e ka shkelur Kushtetutën dhe Gjykata Kushtetuese. Unë besoj te institucioni i Gjykatës Kushtetuese, SPAK dhe jo te individët. Kjo është çështje që nëse nuk merr zgjidhje nga Kushtetuesja, për shkeljet penale që ishin dhe në këtë rast do shkojnë në SPAK. Unë kam vënë në provë GJK. Kjo nuk është një çështje politike, kjo është çështje interesi kombëtar. Nëse GJK nuk arrin të ngihet në nivelin e duhur, atëherë nuk ka arsye përse të ekzistojë nëse nuk merr dot vendim përtej politikës. Është gur prove për Gjykatën Kushtetuese ku do tregojë nëse në fibrën e tyre si gjyqtar ka ende kushtetueshmëri. Kam vendosur në dispozicion provat dhe çdo objeksion që kam pasur procedurial për shkeljet që mund të ketë bërë GJK gjatë rrugës, ja kam dhënë me shkrim”, tha Zhupa.