Buxheti 2024, 735.9 miliardë lekë shpenzime publike, rritja ekonomike parashikohet 3.8 %
Kuvendi miratoi sot nen për nen buxhetin për vitin 2024, ligji më i rëndësishëm financiar që nis zbatimin nga 1 janari.
Buxheti i vitit 2024 synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, shpërndarje të mirëqenies për qytetarët, mbështetjen e punësimit cilësor, si edhe mbrojtjen e kategorive sociale, duke vijuar në të njëjtën kohë konsolidimin e mëtejshëm fiskal.
Buxheti 2024 parashikon 735.9 miliardë lekë shpenzime publike të planifikuara dhe në të njëjtën kohë projekton uljen e borxhit publik, për herë të parë që nga viti 2011, nën nivelin 60%.
Synimi i këtij buxheti, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, është t’i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë dhe të mbështesë vijimin e reformave të nisura për ta afruar vendin më pranë integrimit në Bashkimin Evropian.
Rritja ekonomike parashikohet 3.8% ndërsa në periudhën afatmesme parashikohet një rritje mesatare vjetore prej rreth 4%.
Të ardhurat buxhetore, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8% të PBB, nga 27% që kanë rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022. Kjo rritje bazohet kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal, duke zgjeruar bazën e tatimit me synim minimizimin e informalitetit dhe shmangies tatimore.
Projektbuxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj.
Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin.
Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit. Në këtë fond, përfshihet dhe fondi i rindërtimit nga tërmeti në shumën 7 miliardë lekë.
Sa i përket buxhetit vendor, shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me buxhetin e vitit 2023.