Buxheti 2024-Ministrja Koçiu: Mbështetje për mbi 8 mijë gra kryefamiljare me tre ose më shumë fëmijë
Gratë kryefamiljare do të vijojnë të mbështeten edhe me buxhetin e vitit të ardhshëm. Lajmin e bën me dije Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale ku shkruan se mbi 8,000 gra kryefamiljare me tre ose më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, do të përfitojnë nga programet e mbrojtjes sociale edhe me buxhetin e vitit 2024.
Gratë e papuna, me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njeri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100 mijë lekë bruto në muaj, të cilat janë kategori ekonomikisht joaktive, do të mbulohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror dhe shëndetësor dhe pagesa e kontributeve të tyre financohet nga buxheti i shtetit, për periudhën e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare.
Aplikimi dhe verifikimi për përfshirje në programin e veçantë të subvencionit nga shteti për pagesat e sigurimit të detyrueshëm shoqëror dhe shëndetësor bëhet në mënyrë elektronike, përmes shërbimit elektronik qeveritar e-Albania.
Lista e përfituesve do të gjenerohet nëpërmjet Regjistrit Kombëtar Elektronik të Ndihmës Ekonomike në nivelin qendror të Shërbimit Social Shtetëror.