Buxheti 2024, Xhixho: Arsimi, sërish kurbani i kësaj qeverie
Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi të mërkurën se akti normativ i prezantuar nga qeveria për pr/buxhetin 2024 injoron shtresat në nevojë.
“Qeveria tregoi edhe një herë paaftësi dhe klientelizëm me aktin e fundit normativ. Për të disatën herë, në Kuvend vjen një akt normativ që injoron shtresat në nevojë, sepse është hartuar me urdhër të klientëve të qeverisë”, tha Xhixho në një deklaratë për mediet nga Kryesia e Kuvendit.
Sipas Xhixhos, “7.5 miliardë lekët shtesë në buxhet nuk janë rezultat i performancës pozitive në realizimin e të ardhurave tatimore, por burojnë nga rritja e të ardhurave të tatimit mbi fitimin, nga të ardhurat personale dhe sigurimet shoqërore. Thënë ndryshe, janë para që kanë dalë nga portofoli i biznesit vendas” tha ajo.
“Me aktin e ri normativ, qeveria ka vendosur të injorojë mijëra familje të varfra që përballen me dyfishimin e çmimeve. Asnjë paketë mbështetëse për asnjë prej kategorive në nevojë”, theksoi ajo.
“Akti normativ i qeverisë « Rama » nuk parashikon rritje të pagave, por parashikon ulje të fondit të pensioneve, pasi prioritet për qeverinë mbetet rritja e fondeve operative për shpenzime luksi si dhe shpenzimet kapitale. Ndërsa nuk ngurron të shkurtojë investimet në strehim, arsim dhe shëndetësi, qeveria ndan mënjanë 2 milionë euro për investimet në godinat e veta”, nënvizoi Xhixho.
Ajo u ndal në mënyrë të veçantë te arsimi, sepse, theksoi nënkryetarja e PL, “më mirë se kudo aty shihet se çfarë nuk i intereson kësaj qeverie”.
“Fondet për investimet në arsim janë shkurtuar me 8.5 milionë euro. Qeveria e ka parë të udhës t’ua heqë fëmijëve tanë këto fonde, për t’i kaluar në luksin e zyrave të veta. I keqfinancuar dhe me një buxhet sa gjysma e normës, arsimi goditet sërish. Arsimi është sërish kurbani i kësaj qeverie që pedagogët, mësuesit dhe studentët e këtij vendi i ka injoruar dhe përbuzur sistematikisht vitet e fundit”, tha Xhixho.
Fatkeqësisht, shtoi ajo, “sot në universitetet e vendit ka 43% më pak studentë se në 2011. Projeksionet flasin për përgjysmim të këtij numri brenda dekadës. Interesi për degët e arsimit ka rënë në 6% të totalit të studentëve, buxheti i arsimit është vetëm 2% e GDP, ndërkohë që duhej të ishte të paktën 5%, fondet për shkencën janë gati inekzistente, 0.084% e PBB ndërkohë standardi i BE është 1%PBB, po ashtu 94 programe studimi janë në rrezik mbylljeje”.
“Kjo qeveri e ka injoruar dhe keqpërdorur arsimin, i ka injoruar dhe përbuzur pedagogët, studentët, mësuesit e edukatorët. Drama e shpopullimit të vendit nuk luftohet as me pengmarrje diplomash, as me kërcënime të stafeve pedagogjike, por me përgjegjshmëri, me vendimmarrje të guximshme, me politika të qenësishme për arsimin duke e bërë atë realisht prioritet kombëtar. Këmbanat e alarmit kanë kohë që bien, por kjo qeveri nuk ka veshë për të dëgjuar dhe aspak vullnet për të reflektuar. Sot më shumë se kurrë, ajo po rrezikon të rrënojë të ardhmen e të rinjve tanë, ndaj duhet ndalur sot, jo nesër”, përfundoi Xhixho.