Bylykbashi: Po mohoni votën e mijëra shqiptarëve me dokumente të huaja. Gjiknuri: Kërkoni alibi për humbjen

Në një debat të tensionuar në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët kanë diskutuar projektligjin për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, si pasaportave dhe kartave të identitetit, për shqiptarët që jetojnë në diasporë në mënyrë që të mund të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Deputeti socialist Damian Gjiknuri ka rrëzuar kërkesën e opozitës që ky afat e dokumenteve të skaduar të shtyhet edhe për shqiptarët që jetojnë brenda vendit, duke shpjeguar se ata që nuk kanë pasur dokumente të vlefshme deri tani, kanë mundësinë ta rregullojnë situatën deri në ditën e zgjedhjeve dhe ka hedhur poshtë akuza për diskriminim.
“Qeveria reagoi për një shqetësim që vetë opozita e ngriti lidhur me mjetet e identifikimit dhe janë regjistruar zgjedhësit se janë me vonesë. Kush nuk ka pasur një dokument të vlefshëm sipas udhëzimit të KQZ në tetor 2024, është shkruar qartë se ai ka pasur të drejtë të regjistrohet. Ato që thuhen këtu janë dokrra, ose “pendohesh pasi mendon për alibinë e radhës”. Opozita sa herë hyn në marrëveshje pendohet. Shtymë vlefshmërinë e dokumenteve të skaduar për ata jashtë vendit, sepse ata e kanë të vështirë të vijnë ti rinovojnë. Tani pyetja shtrohet për diskriminim. Për ca bëhen këto dokumente? Ato kanë afate skandence dhe nuk merret një herë për ta mbajtur aty. Pensionistët kanë dokument se marrin pensionet, ato të ndihmës ekonomike kanë se marrin ndihmën ekonomike, të punësuarit dhe kanë mjet identifikimi të vlefshëm, kush se ka ende ka 3 muaj kohë deri ditën e zgjedhjeve ta marrin. Kush janë këto njerëz që nuk paskan dokumente dhe po diskriminohen? Po jetojnë nëpër pyje këto? Ata në diasporë jam dakord se nuk e ka pas nevojën dhe le të pajisen me dokument identifikimi. Shifrat e opozitës stërhollohen që të kenë alibi për humbjen. Nuk ka shqirra që të aplikojë sot dhe të mos e marr dokumentin për 10 ditë. Këto diskriminime që thoni nuk vlejnë dhe nëse ju duhen për alibi, hajde se ju mësoj alibi më të bukura, por jo këto. Procesi i regjistrimit po ecën mirë dhe kemi në shifër që tregon se palët që duan të votojnë janë të sensibilizuar për t’u regjistruar”, tha Gjiknuri.
Nga ana tjetër, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka akuzuar qeverinë se po përpiqet të pengojë shqiptarët në diasporë që të votojnë, duke mbyllur mundësinë e regjistrimit për ata që nuk kanë dokumente biometrike të lëshuara nga Shqipëria.
“S’duan të lejojnë të votojnë shtetasit shqiptarë, e rrëzuan. Të nderuar qytetarë kudo që jeni, që nuk keni një dokument, dje PS ua mbylli derën për të mos votuar, sepse nuk ju ka në listën e patronazhimit. Nëse vini e votoni, u prishni punë, jashtë parashikimeve të PS. Keni refuzuar 41 mijë persona për t’u regjistruar, nuk doni. Në këtë histori ne kishim zgjidhur çështjen, me amendament në ligj, që të mos ia lëmë qeverisë. E refuzuat e çuat në KQZ, dhe atje dhatë urdhër politik. 150 mijë shqiptarë kanë të drejtën e votës dhe nuk i jepni mundësinë për të votuar. Çdo dokument biometrik që lexohet ka të dhëna që merren në mënyrë automatike dhe verifikohet nëse ky person ekziston në gjendjen civile të Shqipërisë dhe nëse po u regjistrua. Ju doni të lini pa votuar qindra mijëra shqiptar dhe kanë një dokumentin biometrik të vlefshëm siç thotë kodi zgjedhor dhe ai nuk përcakton që të jetë i Shqipërisë. Këta nuk duan që ju të votoni”, tha Bylykbashi.