Çako: Situatë e përmirësuar e motit, akset kryesore në vend të gjitha të hapura
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, dha lajmin e mirë se akset kryesore të të gjithë zonave në vend janë të hapura, ndërsa vijon moti i keq.
“Pas një situate të ngarkuar prej 3 ditësh në shkallë vendi me reshje të shumta dëbore dhe shiu nga veriu në jug të vendit, aktualisht situata është shumë e përmirësuar dhe gjendemi tashmë në një situatë të favorshme totalisht, pasi rrugët, akset kryesore të të gjithë zonave janë të hapura”, tha ai.
Në një prononcim për median ai theksoi se thuajse edhe ato rurale janë drejt hapjes dhe përmirësimit në zonat më të thella dhe të gjitha strukturat janë të angazhuara.
“Ka funksionuar shumë mirë Mekanizmi i Mbrojtjes Civile në shkallë vendi, duke angazhuar të gjitha institucionet dhe strukturat dhe të gjitha kapacitet për t’i ardhur në ndihma të gjitha rasteve të kërkuara ndihmë nga qytetarët. Reshjet pothuajse janë ndërprerë në shkallë vendi. Tashmë ka prezencë të dëborës vetëm në zonat e thella malore, por shpresohet që shumë shpejt edhe ato pak fshatra të jenë të aksesuesshëm”, tha Çako.
Çako pato edhe një thirrje për të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm.
“Do të duhet patjetër të jenë të kujdesshëm për zonat me prezencë të shtuar të dëborës dhe të akullit për të qarkulluar me automjete me zinxhirë, por edhe me goma dimërore si dhe të jenë të kujdesshëm për lëvizjet e kontrollueshme në rastet kur ka rrezikshmëri të theksuar. Pothuajse të gjitha strukturat gjithashtu janë të gatshme në Qendrën Kombëtare të Emergjencave Civile dhe në të gjitha strukturat e tjera, duhet t’i drejtohen për nevojat që do të kenë”, tha ai.
Nga raportimet e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ditën e sotme të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme.