Celibashi, Dumani dhe Çela firmosin protokoll të përbashkët për integritetin e zgjedhjeve 2025

Në mjediset e KQZ, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi firmosën Protokollin e Koordinimit dhe Bashkëpunimit midis Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ky protokoll synon garantimin e integritetit të procesit zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2025 dhe parashikon masa të koordinuara për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me zgjedhjet.
Protokolli synon forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve për të siguruar një shkëmbim të shpejtë dhe efikas të informacionit mes institucioneve përgjegjëse për ndjekjen e veprave penale zgjedhore. Në këtë kontekst, angazhimi i përbashkët i palëve nënshkruese do të mundësojë koordinimin efektiv të veprimeve hetimore, duke krijuar mekanizma të qëndrueshëm për monitorimin dhe ndjekjen ligjore të çdo rasti që cenon procesin zgjedhor.
Përmes këtij kuadri bashkëpunimi, institucionet pjesëmarrëse angazhohen të punojnë në mënyrë të vazhdueshme për forcimin e sistemit të drejtësisë zgjedhore, duke siguruar një proces elektoral të drejtë dhe të pandikuar nga elementë të jashtëm.
Me nënshkrimin e këtij protokolli, synohet rritja e transparencës, forcimi i besimit publik tek procesi zgjedhor dhe krijimi i një mjedisi ku shkeljet zgjedhore parandalohen dhe ndëshkohen në mënyrë efektive. Ky bashkëpunim do të vijojë gjatë gjithë periudhës zgjedhore, me koordinim të vazhdueshëm mes institucioneve, për të siguruar një proces të lirë, të drejtë dhe të ndershëm, në përputhje me parimet demokratike dhe standardet e Bashkimit Evropian.