Celibashi: Më 9 mars publikohet lista paraprake e zgjedhësve shqiptarë jashtë vendit

Kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi bëri të ditur se më 9 mars do të publikohet lista paraprake e zgjedhësve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Sipas Celibashit, do të ketë edhe një afat për të korrigjuar adresat nga data 9 deri në 12 mars, vetëm për ata që janë regjistruar.
“Nga datat 9 deri në 12 mars, vetëm ata që janë të regjistruar, kanë të drejtë të kërkojnë të bëjnë ndryshime që lidhen me adresën dhe vetëm me adresën të të dhënave që ata kanë.
Në datën 9 shpallim listën paraprake, që do të thotë se ti si institucion i ke miratuar kërkesat dhe ata janë në listën paraprake të votuesve nga jashtë, për kategorinë e atyre të cilët kanë marrë refuzim nga KQZ nuk mund të bëhet asgjë dhe kjo është e qartë si në KQZ ashtu edhe kaudrin rregullator.
Ata që janë të regjistruar në listë, nëse shikon pasaktësi, kjo pasaktësi lidhet vetëm me adresën mund të paraqesin kërkesë në KQZ për t’i korrigjuar por edhe KQZ në ndonjë rast mund të bëjë saktësime”, tha Celibashi.
Gjithashtu, Celibashi vuri në dukje se shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit do t’u dërgohet në shtëpi zarfi me fletën e votimit midis datave 8 dhe 16 prill.
“Do të shohim si shkon procesi i regjistrimit e miratimit të listave shumëemërore. Nëse procesi shkon normalisht në kufijtë e afateve, midis fundit të javës së parë të prillit dhe javën e dytë të prillit do të dërgojmë fletët e votimit dhe dokumentacionin tjetër zgjedhor për votuesit nga jashtë. Pra, synojmë që mes datës 8-16 prill të përfundojmë procesin e dërgimit të fletëve të votimit nga jashtë. Kështu, në këtë mënyrë, ne kemi gjithë kohën në dispozicion ne institucion por edhe votuesit nga jashtë për të plotësuar dhe për ta kthyer mbrapsht në KQZ. Deri në fund të javës tjetër do të kemi përfunduar procedurat që lidhen me operatorin e shërbimit postar. Sipas kërkesave tona dhe të ligjit, do të përzgjedhim një prej operatorëve të njohur ndërkombëtarë e do të kërkojmë që shërbimi dhe dërgimi mbrapsht i fletës së votimit të jetë ekspres dhe i gjurmueshëm. Do të ftojmë ato brenda ndërkombëtare që janë të mirënjohura për shërbimin postar e do të përjashtojmë Postën shqiptare, se vetë ligji e ka përjashtuar”, u shpreh më tej Celibashi.