Censi 2023, kritika për fenë, etninë dhe gjuhën. INSTAT shpjegon se vetëm grumbullon të dhënat
Procesi i regjistrimit apo Censi 2023, që po kryen INSTAT që prej datës 18 shtator, po ecën normalisht.
Sipas Radin Hoxhës drejtori i statistikave të sektorit real, deri tani nuk ka rezultuar asnjë problematikë. Zoti Hoxha i tha RTSH-së se në terren janë 7 mijë persona nga të cilët 5.700 janë anketues.
“Censi deri në këto momente po ecën shumë mirë dhe brenda brenda pritshmërive. Nuk kemi pasur probleme thelbësore në mbarëvajtjen në teren të censit,” tha ai.
Në numrin e gjelbër që INSTAT ka vendosur në dispozicion të popullatës, pyetjet nga të interesuarit janë më së shumti për lënien e orarit për kryerjen e procesit të anketimit.
Lidhur me pyetjet për etninë, fenë dhe gjuhën për të cilat ka patur komente dhe kritika, drejtori Hoxha tha se gjatë procesit të regjistrimit në INSTAT thjesht grumbullohen të dhëna statistikore.
“Nuk ka verifikim për këto tre pyetje! Janë thjesht me deklarim të lirë. Detyra e INSTAT-it është thjesht çfarë deklaron personi dhe të nxjerri rezultatet e agreguara. U takon politikbërësve që për këto ptre pyetje ose pyetje të tjera të marrin vendimet përkatëse,” tha zoti Hoxha.
Censi do të vijojë deri në datën 30 tetor dhe rezultatet do të publikohen qershorin e vitit të ardhshëm.