Censi 2023, publikimi i të dhënave dhe sulmet kibernetike, INSTAT i përgjigjet pyetjeve të deputetit të opozitës Ervin Salianji
Instituti i Statistikave i ka kthyer përgjigje pyetjeve të deputetit të PD-së, Ervin Salianji, lidhur me procesin e Censit dhe hakërimit të faqes së INSTAT nga grupi i “Homeland Justice”.
INSTAT ka deklaruar se të dhënat e Censit, i cili u realizua gjatë vitit 2023, do të dalin në muajn qershor siç është parashikuar në afat. Sipas INSTAT nuk ka pasur asnjë vonesë në publikimin e të dhënave.
“Nuk ka pasur asnjë vonesë në publikimin e të dhënave të Censit. Ju bëjmë me dije se publikimi i rezultateve të Censit 6 muaj pas përfundimit të proceseve të terrenit janë afatet më të afërta për publikimin e të dhënave të Censit sipas standardeve ndërkombëtare” shkruhet në përgjigje.
Instituti i Statistikave ka treguar se kosto totale e parashikuar për Censin e Popullisë dhe Banesave ka qenë 16.9 milionë euro.
“Kosto totale e parashikuar e Censit të Popullisë dhe Banesave ka qenë 16.9 milionë euro (gjendet dhe në planin vjetor të dërguar nga INSTAT në Kunvendin e Shqipërisë). Duhet të theksojmë që aktiviteti i Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 nuk përfundon me mbylljen e grumbullimit të të dhënave në terren apo dhe anketën e post Censit”, shpjegon institucioni.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë ndërhyrje nga ndonjë institucion i pushtetit qendror apo vendor lidhur me publikimin e këtyre të dhënave, INSTAT përgjigjet se është një institucion i pavarur i cili është në varësi të Kuvendit të Shqipërisë.