Censi/ Drejtoresha e INSTAT: Procesi po shkon mirë, janë plotësuar rreth 800 pyetësorë
Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, ka bërë me dije se procesi i Censit, që nisi këtë të hënë (18 shtator) në vend, po shkon mirë, ndërsa janë plotësuar rreth 800 pyetësorë.
Në një komunikim për mediat, Dhuli i bëri thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen pyetjeve, teksa shtoi se anketuesit do të vijojnë punën edhe pasdite për të mundësuar kontaktin me qytetarët të cilët mund të mos kenë qenë në shtëpi gjatë paradites.
“Në të gjithë territorin, punonjësit e INSTAT kanë dalë në terren për të numëruar popullsinë rezidente në Shqipëri dhe kushtet e tyre të jetesës. Deri tani, referuar sistemit të monitorimit, procesi po shkon mirë. Janë regjistruar në aplikacion pjesa më e madhe e anketuesve. Janë në proces intervistimi rreth 1500 intervista dhe janë plotësuar rreth 800 pyetësorë. Procesi po shkon sipas pritshmërive. Intervistat do të vazhdojnë edhe pasdite për të mundësuar kontaktimin me qytetarët që gjatë paradites kanë qenë të angazhuar me punë”, u shpreh Dhuli.
Drejtoresha e INSTAT shtoi se përgjigjja e pyetësorit është e detyrueshme dhe se janë parashikuar penalitete për ata që refuzojnë, apo që japin informacione të rreme.
“Është e detyrueshme përgjigjja e pyetësorit për pyetjet që janë konsideruar të detyrueshme dhe ka edhe penalitete komfor ligjit. Penaliteti është për familjen. Nëse verifikohet që është gënjyer në lidhje me përgjigjet e pyetjeve, patjetër që kemi politikat që do të ndjekin procesin e raportimit”, deklaroi Dhuli.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Sipas INSTAT, kostoja totale për realizimin e Censit 2023 është 16,9 milionë euro.