Censi, Gonzato: Me rëndësi për bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë në BE
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka nënvizuar rëndësinë e Censit 2023 për bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë në bashkësinë europiane.
Në fjalën e tij pas publikimit të të dhënave të Censit, Gonzato u shpreh se të dhënat e sakta ndihmojnë autoritetet në përgatitjen e politikave.
“Të dhënat e Censit ndihmojë autoritetet që të ruajnë demografikën. Shqipëria dhe rajoni përballen me sfida mjaft specifike demografike dhe është e rëndësishme që informacione statistikore të besueshme të jenë në dispozicion. Informacioni i saktë përmirëson sjelljet e bëra në punësim, strehim dhe investime dhe sigurisht edhe për mekanizmat e ngritura për të garantuar të drejtat e pakicave dhe grupeve në nevojë. Ky Cens është mjaft i rëndësishëm në kontekstin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Informacioni i saktë i besueshëm është thelbësor”, u shpreh Gonzato.
Sipas të dhënave të INSTAT, në territorin e Shqipërisë jetojnë 2 412 113 banorë, duke reflektuar një rënie prej 14.5% në krahasim me të dhënat e vitit 2011.