Censi i Popullsisë dhe Banesave, në Shqipëri jetojnë 2.4 milionë banorë, rreth 400 mijë më pak se në vitin 2011
Në Shqipëri jetojnë 2.412.113 banorë. Shifra u bë me dije nga drejtoresha e Institutit të Statistikave (INSTAT), Elsa Dhuli, që prezantoi sot (28 qershor) të dhënat e Censit të zhvilluar në tetor të vitit 2023.
“Në Shqipëri janë 2 milionë e 412 mijë e 113 banorë të cilët përbëjnë 700 e 55 mijë e 950 familje me mesatare 3.2 anëtarë për familje që jetojnë në 1.082.529 banesa të zakonshme”, u shpreh Dhuli.
Referuar të dhënave të vitit 2011, numri i popullsisë rezulton me një rënie prej 14.5%. Më 1 tetor 2011, popullsia banuese e Shqipërisë ishte 2 821 977 banorë. Edhe Censi i vitit 2011, krahasuar me atë të vitit 2001, reflektoi një rënie të popullsisë afërsisht prej 8,0%.
Censi i Popullsisë dhe Banesave nisi në tetor të vitit 2023 dhe është i 12 i realizuar në Shqipëri. Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë.