Censi i Popullsisë dhe Banesave, zv.ministri Yzeiraj: Me rëndësi që të dhënat të jenë reale
Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj ka dhënë detaje në lidhje me procesin e Censit të Popullsisë dhe Banesave që ka nisur këtë të hënë (18 shtator) në vend. Në studion e RTSH 24, Yzeiraj tha se nga ky proces përfiton i gjithë vendi, teksa theksoi se është me rëndësi që qytetarët të kuptojnë vlerën e tij dhe të japin të dhëna reale.
“Qytetarët duhet të kuptojnë vlerën e këtij procesi, të dhënat të jenë reale. Ne të mos flasim për penalitetin, por vlerën, pse ne po e bëjmë këtë, jo për të përfituar, por nga ky proces përfiton Shqipëria”, u shpreh ai.
I pyetur nëse ky proces do të mund të ishte realizuar edhe online përmes portalit e-Albania, Zëvendësministri u shpreh se nuk është mundur për shkak se për disa pyetje, siç është adresa, nevojitet edhe verifikimi përmes anketuesit në terren.
“Mund të jetë një nga nismat që ne do mendojmë për censet e ardhshme. Por pjesa fizike e ankestuesve duhet në lidhje me disa pyetje që lidhen me banesa. Disa pjesë mund të përftohen në mënyrë dixhitale, por ka disa komponentë kur pjesa fizike është e nevojshme”, u shpreh ai.
Janë 5.240 anketues të cilët do të trokasin në dyert e të gjithë qytetarëve, për të grumbulluar informacionin e nevojshëm, ndërsa puna në terren do të zgjasë për 6 javë, deri më 30 tetor.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Sipas INSTAT, kostoja totale për realizimin e Censit 2023 është 16,9 milionë euro.