Censi, INSTAT: Të dhënat do të publikohen në qershor të këtij viti
Të dhënat e Censit do të jenë gati për publikim në muajin qershor të këtij viti. Kështu ka bërë me dije Instituti i Statistikave, teksa informon mbi vijimin e fazave pas grumbullimit të të dhënave.
Sipas INSTAT, të dhënat e grumbulluara do kalojnë në procese statistikore pastrimi, përpunimi dhe tabelimi.
“Kjo është një praktikë e zakonshme statistikore për të siguruar që informacioni që do të ndahet për publikun është cilësor, i saktë dhe i besueshëm”, njofton INSTAT.
Të dhënat që do të publikohen do të përmbajnë informacion të detajuar mbi demografinë, arsimin dhe shëndetësinë.
“Rezultatet e Censit do të ofrojnë një bazë të fortë për planifikimin e politikave publike dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e programeve që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve. Gjithashtu, ato do të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve të infrastrukturës, si dhe do të ndihmojnë në monitorimin e progresit të vendit në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm”, shkruan INSTAT.