Censusi i shpendëve / Macaj: Më pak zogj ujorë shtegtarë për shkak të kushteve klimatike
Ka përfunduar pak ditë më parë Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë. Punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura si dhe pjesmarrës të organizatave mjedisore për tre ditë me radhë kanë kryer numërimin dhe regjistrimin e shpendëve në ligatinat e qarkut të Shkodrës.
Tonin Macaj, përgjegjës i sektorit të menaxhimit në ADZM Shkodër thekson që ajo çka është konstatuar gjatë këtij censusi është se janë vërejtuar më pak shpend ujorë shtegtarë kjo për shkak të ndryshimit të kushteve klimatike.
Macaj bën me dije se impakt pozitiv për rikthimin e shpendëve në habitatin e tyre është edhe ndërgjegjësimi i komunitetit përreth zonave të mbrojtura për të mos i gjuajtur këta shpendë.
Në kushtet ku ngrohja globale pritet të ketë efekte, veçanërisht të theksuara në habitatet ligatinore bregdetare përmes rritjes së nivelit të detit, monitorimi i shpendëve të ujit luan një rol të rëndësishëm edhe në monitorimin e efekteve që këto ndryshime sjellin mbi miliona shpendë uji.