Çerekfinalet/ Pesë kampionë në lojë, vetëm tri nga tetë skuadrat nuk e kanë fituar trofeun
Pesë skuadra nga tetë çerekfinalistët e Euro 2024 e kanë fituar më parë trofeun evropian dhe katër prej tyre janë nga njëra anë e tabelës e do të ndeshen për të nxjerrë vetëm një nga finalistët. Spikat përballja midis Spanjës e Gjermanisë, çerekfinalja e parë, që do të luhet në Shtutgart, të premten në orën 18.00. Secila prej dy kundërshtarëve e ka fituar tri herë trofeun dhe janë dy skuadrat më në formë të këtij evropiani, bazuar në rezultatet. Fituesi i këtij çifti do të ndeshet në gjysmëfinale me Francën apo Portugalinë, që formojnë çiftin tjetër çerekfinal, po të premten, në orën 21.00 në Hamburg. Franca e ka fituar dy herë trofeun, Portugalia një herë, pikërsht kundër Francës më 2016 në Paris. Në tetë vitet e fundit, Franca ka luajtur në tre finale të mëdha, duke fituar vetëm një, atë të botërorit 2018. Në grupin tjetër të çerekfinalistëve ka vetëm një skuadër që e ka fituar evropianin, Holanda, një herë, e pikërisht në Gjermani, më 1988. Holanda do të ndeshet me Turqinë në Berlin, të shtunën, më 6 korrik, në orën 21.00. Turqit kanë si rezultat më të mirë gjysmëfinalet, më 2008, dhe do të synojnë daljen për herë të dytë në këtë fazë. Po të shtunën, në 18.00, do të luhet në Dyseldorf çerekfinalja midis Anglisë e Zvicrës. Anglia ka si rezultat më të mirë finalen e edicionit të kaluar, kur u mund me penallti nga Italia në Wembley. Zvicra shkoi deri në çerekfinale, për të dytën herë radhazi. Anglia llogaritet ndër favoritët kryesorë, por forma aktuale favorizon Zvicrën.