Ceremoni nderimi për 51 haxhilerë shkodranë, do të jenë pjesë e ritualeve të Haxhit
Pasditen e së enjtes, më 6 qershor 2024, në xhaminë e Parrucës, Myftinia Shkodër organizoi ceremoninë festive, në nder të 51 haxhilerëve shkodranë, që këtë vit do të jenë pjesë e ritualeve të Haxhit 2024/1445.
Pas leximit dhe një pjese kur’anore të kënduar nga Shejkh Muhammed Siddik El-Minshavi, shfaqur në monitor, teologu Arben Halluni bëri hapjen e aktivitetit që pasoi me nga një përshëndetje dhe urim nga imamët e xhamisë Parrucë, Naim Drijaj dhe Durim Kasemi.
Ndërsa, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, përcolli mesazhin e tij duke iu drejtuar të pranishmëve për Haxh të pranuar nga Zoti për të përfituar nga mirësitë e atyre tokave të shenjta, ku mblidhen miliona besimtarë nga mbarë bota për të kryer ritualin e jetës, Haxhin, si një prej pesë kushteve të Islamit.
Në vijim të kësaj ceremonie ishte prezantimi i disa recitimeve nga nxënësit e mejtepit të xhamisë Bardhaj dhe shfaqja e dokumentarit “Zemzemi, Uji i Bekuar”.
Një nga momentet më të veçanta të kësaj ceremonie ishte thirrja e emrave të haxhilerëve për marrjen e ihramit dhe dokumenteve të Haxhit.