Çertifikatë profesionale e maturës, nis këtë javë shqyrtimi i ndryshimeve në ligjin për arsimin profesional
Këtë javë nis në Kuvendin e Shqipërisë diskutimi mbi ndryshimet ligjore të propozuara nga deputetja socialiste Evis Kushi, për arsimin profesional. Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik pritet të diskutohet kjo nismë e ish-ministres së Arsimit dhe Sport.
Draftligji i depozituar prej Kushit ka në fokus rritjen e cilësisë dhe standardeve të arsimit dhe formimit profesional, duke garantuar të rinj dhe të reja me kompetenca bashkëkohore dhe duke mundësuar një punësim të shpejtë, të denjë dhe të mirëpaguar.
Referuar relacionit të depozituar në Kuvend, projektligji do të mundësojë dhe nxisë lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit mes institucioneve tona ofruese të arsimit dhe formimit profesional me institucione arsimore të njohura dhe me përvojë ndërkombëtare që zhvillojnë aktivitetin jashtë vendit, lëshimin e diplomave/certifikatave të përbashkëta ose të dyfishta me to, përmirësimin e kualifikimeve profesionale, si dhe rritjen e numrit të të rinjve që duan të ndjekin arsimin dhe formimin profesional”
“Gjithashtu, nxënësit e arsimit profesional do të kenë më shumë alternativa zgjedhjeje sipas preferencave të tyre. Ata që nuk dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta por duan të integrohen më shpejt në tregun e punës, do të kenë mundësi që të përfundojnë studimet në vitin e tretë dhe të pajisen me certifikatë profesionale të maturës shkollore profesionale”, lexohet në relacion.
“Në këtë mënyrë shkurtohet me një vit koha e fitimit të certifikatës së shkollës së mesme profesionale (maturës shkollore profesionale), duke e barazuar me kohëzgjatjen 3-vjeçare të gjimnazit, duke shmangur kështu një nga arsyet e mosndjekjes së arsimit profesional nga të rinjtë dhe duke rritur shanset e tyre të punësimit në treg”, sqarohet më tej.
“Nga ana tjetër, ata që duan të vijojnë arsimin e lartë ose pas të mesëm, mund të ndjekin edhe shkollimin teknik-menaxherial 1-vjeçar dhe të fitojnë maturën shtetërore profesionale, ose kursin urë të përgjithshëm 1-vjeçar dhe të fitojnë maturën shtetërore (të përgjithshme). Një tjetër objektiv i ligjit është bashkëpunimi me biznesin, duke garantuar mjedisin për praktikat profesionale, por duke përfituar edhe nga punësimi i të rinjve të mirëkualifikuar, të cilët më pas do të ndikojnë në rritjen dhe përmirësimin e produkteve apo shërbimeve që këto biznese ofrojnë”, thuhet në drafligj
Vetë Kushi, ka theksuar se “ky propozim vjen pas një pune intensive në konsultim me ekspertë të fushës dhe përfaqësues të grupeve të interesit, për të rritur koherencën me strukturat e arsimit profesional të vendeve të BE-së, duke lehtësuar mobilitetin dhe integrimin edhe në tregun rajonal të punës, të nxënësve që kanë fituar maturën shkollore profesionale”.