Çështja e dinarit, Bislimi dhe Petkoviq takohen sot në Bruksel
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, do të takohen këtë të martë (19 mars) në Bruksel në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb.
Një ditë më parë në lidhje me dinarin serb, Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se ekziston një dakordësi për një pjesë të propozimit të bërë nga emisari i SHBA-ve Gabriel Escobar. Osmani shpreson që në takimin e sotëm në Bruksel mes Bislimit dhe Petkoviq të arrihet një marrëveshje.
Kujtojmë se më 1 shkurt ka hyrë në fuqi një rregullore e BQK-së, që parasheh euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb. SHBA-ja dhe BE-ja kanë kritikuar këtë vendim, duke thënë se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë parasysh ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë.
Uashingtoni i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërkaq BE-ja po kërkon që kjo çështje të zgjidhet në kuadër të dialogut që ajo ndërmjetëson.
Kosova ka thënë se çështja e dinarit është teknike dhe nuk duhet të përfshihet në dialogun politik për normalizimin e raporteve. Ndërkaq, Serbia kërkon një zgjidhje politike për këtë çështje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i BQK-së nuk do të zhbëhet, por pas takimit të enjten, Escobar tha se kryeministri kosovar i ka premtuar se do të shqyrtojë disa propozime të tij lidhur me këtë çështje.