Çështja e dinarit, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbiës takohen sot në Bruksel
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen ditën e sotme në Bruksel për të gjetur një zgjidhje pas përfundimit të periudhës kalimtare të Bankës Qendror të Kosovës, e cila e përcakton euron si monedhën e vetme për transaksione në Kosovë.
I dërguari për dialogun, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç, për të vazhduar sot në Bruksel, diskutimet mbi dinarin, me shpresën për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Kryengociatorët do të takohen të mërkurën këtu në Bruksel, dhe do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e zgjidhjes së përkohshme të qëndrueshme për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Dhe në pritje të këtij takimi të mërkurën, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur një kompromis”, tha të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Takimi i sotëm do të jetë i shtati në radhë ku diskutohet zbatimi i rregullores së BQK-s. Ndërkohë palët akoma nuk kanë gjetur zgjidhje, teksa në tryezë është ende propozimi për kompromis i prezantuar nga Miroslav Lajçak, në fund të muajit mars.
Më 12 maj ka kaluar periudha kalimtare e Bankës Qendrore dhe nga e diela, euro është monedha e vetme për transaksione në Kosovë.
Sipas kryeministrit të vendit, Albin Kurti, nëpërmjet rregullores së BQK-së po synohet ligjshmëria, transparenca.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët janë më lartë se para nesh dhe prin në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit si mjet pagese. Rregullorja e BQK-së nuk është për të dalë kundër dinarit, por për euron si mjeti i vetëm për pagesa në Kosovë”, është shprehur Kurti.