Çështja e dinarit serb, Osmani: Ka dakordësi për një pjesë të propozimit amerikan
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi këtë të hënë se ekziston dakordësi për një pjesë të propozimit të bërë nga I dërguari amerikan Gabriel Eskobar për çështjen e dinarit. Ajo theksoi se do të ishte ideale nëse do të arrihej një marrëveshje gjatë takimit të së martës mes kryenegociatorëve në Bruksel.
“Është shumë pozitive që ndërkombëtarët, me në krye SHBA-të, pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë. Me ndihmën e tyre kemi arritur që dërgesat dhe ndihmat financiare që vijnë nga Serbia të bëhen në euro dhe jo me dinar. Kjo zgjidh një pjesë të madhe të problemit”, tha Vjosa Osmani.
Osmani bëri me dije se po shqyrtojnë mënyra për të garantuar se si të mos keqpërdoret ndihma financiare që vjen nga Serbia për komunitetin serb në Kosovë.
“Pjesa e dytë për të cilën nuk ka pajtim është se si duhet siguruar që çdo ndihmë financiare që vjen nga Serbia mos të shkoj në duart e atyre personave që kanë abuzuar. Kanë marrë paratë në emër të qytetarëve dhe i kanë shfrytëzuar për krim e korrupsion. Për këtë pjesë po hartohet një plan ku përfshihen edhe autoritetet e Kosovës” , u shpreh presidentja.
Lidhur me kritikat e Bashkimit Evropian për marrëveshjen e Ohrit, Osmani u shpreh se duhet të analizohen veprimet e palëve në terren për të arritur në një përfundim plotësisht objektiv. Ajo kërkoi që Kosova dhe Serbia të trajtohen njëlloj.
“Kërkoj të ketë trajtim të barabartë të palëve dhe detyrimet e tyre t’i zbatojnë paralelisht, jo njëra palë t’i ketë përfitimet në fillim, ndërsa për Kosovën të mendohet në fund”, tha Osmani
Presidentja Vjosa Osmani i bëri deklaratat gjatë një vizite në Komunën e Lipjanit.