Çështja Gërdeci, Mediu: Seanca po shkon drejt absurdit, të dëshmojë shefi i Shtabit të Përgjithshëm
Në seancën gjyqësore për çështjen e Gërdecit që u zhvillua sot (9 prill) në GJKKO është bërë administrimi i procesverbalit të dëshmisë së ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Në seancë ishte i pranishëm edhe Fatmir Mediu, i cili po hetohet për rolin e tij që ka pasur në atë kohë si ish ministër i Mbrojtjes.
Në një deklaratë për mediat, Mediu tha se kjo çështje po tenton të kalohet shpejt pa pasur një analizë të thelluar të provave si dhe nuk po merren parasysh ekspertizat e bëra. Gjithashtu Mediu tha se në këtë çështje duhet të dëshmojë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe dëshmitarët kryesorë.
Sipas Mediut ekspertizat e bëra kanë treguar se nuk ka pasur asnjë dëm financiar si dhe nuk është përgjegjësi e Ministrit të Mbrojtjes të merret me kalibrat. Për Mediun kjo çështje po kalohet në absurd.
“U bë paraqitja e provave nuk përcaktoi qartë këtë volum dosjesh, urdhrat e ministrit që nuk janë zbatuar, ku është përgjegjësia e ministrit në kuadër të shpërdorimit të detyrës? Se është një proces që tenton të kalohet si proces i radhës, ne duhet t’i shtrijmë faktet siç janë, kë nen ka shkelur, duhet parë në atë analizë të fakteve në gjykatë që nxjerr të vërtetën. Unë duhet të analizoj ekspertizat qoftë atë të ekspertëve amerikane që nuk ka lënë një mundësi po ka lënë 5 mundësi të shkaqeve të shpërthimit dhe duhet bërë eksperimenti se kush ishte shkaku. Ekspertiza tekniko-financiar kanë pranuar se nuk ka dëm ekonomik dhe prapë vijohet me të njëjtën logjik. Delegimi i mallrave brenda vendit bëhet pa pagesë dhe nuk merret ministri me çështjen e kalibrave. Për çfarë zhvillohet ky proces ku dhe dëshmitarët e prokurorisë nuk kanë pasur vlerë. Unë kam rezerva që ata që janë dëshmitarë kryesorë nuk kanë pranuar që të pyete dhe shefi i shtabit të përgjithshëm duhet patjetër t’i japin përgjigje disa pyetjeve për të hedhur dritë mbi të vërtetën dhe nuk është e vështirë për të gjetur adresën e tij apo të bëjë një video konferencë. Nëse duam një debat mbi provat shkencore ky duhet të jetë një debat instruktiv. Nga pikëpamja juridike po shkon drejt absurdit dhe kjo nuk i shërben të vërtetës”, tha Mediu.
Seanca e radhës për çështjen “Gërdeci” do të mbahet më 24 prill ora 12:00. Ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është marrë i pandehur për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Më 15 mars 2008 nga shpërthimi i një punisheteje demontimi të armëve në Gërdec humbën jetën 26 persona.