Çështja “Partizani”, Berisha s’paraqitet në GJKKO: Procesi më politik i këtij shekulli. Do përgjigjemi
“Procesi me politik i këtij shekulli” e ka konsideruar ish-kryeministri Sali Berisha procesin gjyqësor që po zhvillohet në lidhje me privatizimin e ish- klubit sportiv “Partizani”, çështje për të cilën ai është nën hetim, ndërsa GJKKO i ka caktuar “detyrim paraqitje” dhe ndalim të daljes jashtë shtetit. Seanca në GJKKO për Berishën u caktua sot në orën 14:00, por në një deklaratë më herët, ish-kryeministri tha se nuk do të jetë i pranishëm.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se në këtë proces, sipas tij, janë reformat e PD-së, duke shtuar se do të përgjigjen “me të gjitha forcat”.
“Siç e dini, Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe unë u them demokratëve kudo që janë, se me aktin e fundit, ai ka shpallur një luftë totale, për të cilën ne do i përgjigjemi me të gjithë forcën dhe mundësitë tona. Procesi është procesi më politik i këtij shekulli. Në proces nuk është vetëm Sali Berisha dhe familjarët e tij, jo, absolutisht. Në proces janë reformat epokale të PD-së, të cilat goditen nga një gardë pretoriane, të cilat goditen nga falanga politike krimi, në një analizë që dëshmon urrejtjen e tyre për reformat e tregut të lirë dhe demokracisë që ka ndërmarrë PD në vite. Çdo demokrat duhet të ndjehet krenar me to”, u shpreh Berisha.
Ditën e djeshme, GJKKO la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për dhëndrin e Berishës, jamarbër Malltezin dhe “detyrim paraqitje” për biznesmenin Fatmir Bekteshi.
Sipas SPAK, Malltezi ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta, 5.4 mln euro.
Ndërsa për Berishën, SPAK thekson se ka kryer veprime aktive për miratimin e një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi.